Kthehet në rivlerësim tenderi i komunës së Prishtinës

PrishtinëPostuar: 10:17 / 18.05.2018

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP)ka vendosur që ta kthej në rivlerësim tenderin për “Sigurimi fizik i objekteve të komunës së Prishtinës”. Është hera e dytë që ky tender do të rivlerësohet, pasi herën e parë një gjë e tillë ishte bërë pas miratimit të ankesës në shkallën e parë, pra nga vetë Komuna e Prishtinës.

Paneli shqyrtues ka kërkuar që gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit të kërkohen sqarime shtesë dhe të vërtetohet në veçanti se OE i rekomanduar për kontratë, “K.S.AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”, a e plotëson kërkesën e AK-së në lidhje me pagën e punëtorëve prej 230 euro bruto në muaj.

“Pra të bëhet një analizë detale e çmimeve dhe të analizohet në detaje se operatori i rekomanduar për kontratë “K.S.AS – Security” dhe “Komtel Project Engineering”, a i plotëson të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë”, theksohet në arsyetimin e Panelit Shqyrtues.

Operatori ekonomik “Rojet e Nderit” në OSHP janë ankuar se oferta 1.52 euro për orë e ofruar nga kompania e rekomanduar për kontratë nuk arrin të plotësojë kërkesën për pagën bazë prej 230 eurove që e ka kërkuar Komuna e Prishtinës.

“Operatori ekonomik nuk plotëson as elementin bazë – Trustin Pensional, e lëre më edhe TVSH-në. Ekspertit nuk di a i ka ikur ky detaj, por çmimi online mund të analizohet dhe ky çmim është nën çdo kriter të autoritetit kontraktues”, ka thënë Arben Hasani, përfaqësues i OE – “Rojet e Nderit” gjatë seancës e OSHP-së.

Paneli shqyrtues e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Rojet e Nderit” lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Sigurimi fizik i objektit të komunës së Prishtinës” i inicuar nga AK – Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës e kishte publikuar njoftimin për dhënie të kontratës më 2 mars të vitit 2018, duke e rekomanduar për kontratë konzorciumin “AS – Security” & “Komtel Project Engineering”.

“Komtel Project Engineering” është në pronësi të Vegim Gashit, ish kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës. Kjo parti aktualisht është në bashkëqeverisje me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 439 mijë e 401 euro.

Kundër vendimit të AK – Komuna e Prishtinës për OE të rekomanduar për kontratë ishin ankuar me 6 mars operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “AlphaPrivate Security&“SAS”.

AK – Komuna e Prishtinës me 20 mars ka dalë me njoftimin për anulimin e dhënies së kontratës për operatorin e rekomanduar.

Pas rivlerësimit të bërë, Komuna e Prishtinës sërish e ka rekomanduar për kontratë kompaninë e njëjtë, pasi i ka kërkuar dokumente shtesë kompanisë së rekomanduar për kontratë.

Përsëri me 29 mars është marrë vendim për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit. Përsëri pas ankesave nga operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “AlphaPrivate Security&“SAS”.

Me 30 mars zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka vendosur që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e dy operatorëve ekonomikë ankues për rivlerësim.

Të pakënaqur me këtë vendim të AK – Komuna e Prishtinës, “Rojet e Nderit” janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke e detyruar komunën që sërish të pezullojë aktivitetin e prokurimit më 10 prill.

Gazeta JnK ka shkruar për këtë aktivitet të prokurimit me theks te Komuna e Prishtinës e cila ka qenë ndër të paktat që i ka dhënë kuptim dyshkallshmërisë së ankesave në prokurimit publik.