Ndërtimi i parkingut nëntokësor, peng i ankesave rreth tenderit

PrishtinëPostuar: 10:46 / 16.05.2019

Drejtues të Komunës së Prishtinës e patën prezantuar para tre muajsh si projekt që ishte pothuajse gati për ta filluar në verë, ndërtimin e parkingut nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë.

Por tani po deklarojnë se planet mund t’ua prishë ankesa e një operatori ekonomik e parashtruar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP).

Në muajin shkurt të këtij viti drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, pati thirrur një konferencë shtypi për të prezantuar me pompozitet se ndërtimi i parkingut pritet në nisë gjatë verës së këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.

Ai pati thënë atëherë se më 16 korrik të vitit të shkuar ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së kompanive të kualifikuara, ku ishin katër kompani, dy nga të cilat më vonë janë tërhequr dhe në garë kanë mbetur vetëm dy të tjera.

Por tani njëra nga këto kompani ka paraqitur ankesë në OSHP kundër Komunës, të cilën gjë e konfirmojnë vetë drejtues të saj.