Pastrohen dy lagje të Prishtinës, i bëhet thirrje komunës që ta mirëmbajë ambientin

PrishtinëPostuar: 15:34 / 12.12.2018

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” ka vazhduar edhe sot në kryeqytet.Lagjja “Kalabria” dhe ajo “Arbëria”, ishin dy lagjet të cilat u pastruan sot në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, raporton Ekonomia Online.

E aksionit të sotëm të organizuar nga “Let’s Do It Kosova”, iu bashkëngjitën edhe shumë vullnetarë të tjerë.Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, tha se lagjja “Kalabria”, është shndërruar në një deponi mbeturinash.

“Jemi në Kalabri, në një nga lagjet periferike të kryeqytetit, që fatkeqësisht është shndërruar në deponi ilegale mbeturinash. Shohim që ndërtues të pa përgjegjshëm edhe këtu e kanë shndërruar në një vend deponim të mbetjeve të tyre ndërtimore dhe e keqja tjetër është që edhe inspektorët edhe institucionet nuk kanë ndërmarrë asgjë që ti pengojnë. Jemi ardhë këtu që ta pastrojmë këtë lokacion  dhe kërkojmë përgjegjësi dhe llogari prej atyre që janë të obliguar ta ruajnë këtë lokacion”, tha Hasanaj, raporton Ekonomia Online.

Hasanaj kërkoi nga institucionet lokale që të jenë më vigjilent në punë  e tyre. “Pamje si këto ka akoma rrugëve të Kosovës, kryesisht brezave rrugore dhe apelojmë tek ndërmarrjet të cilat janë të kontraktuara për ti pastruar këto që ta bëjnë punën e tyre. Ne jemi në fund të fushatës  “Ta pastrojmë Kosovën” dhe do mundohemi të kërkojmë që sa më shumë të pastrohen këto deponi. Por, konsideroj që institucionet lokale ta bëjnë punën  e tyre dhe ti gjobisin ata që po krijojnë këto situata”, tha Hasanaj.

E koordinatori i “Let’s Do It Kosova”, Valton Karaxhiu akuzoi komunën e Prishtinës se nuk po ndërmerr masa për ruajtjen e ambientit, gjegjësisht për gjobat e ndara në kuadër të hedhjes së mbeturinave. “Ky është aksioni  i katërt për ditën e sotme, ky është vendkalimi që e lidhë Mitrovicën me Prishtinën. Përafërsisht janë 30 thasë me mbeturina që i kemi grumbulluar. Si duket këtu kryesisht kalimtarët, bizneset hedhin mbeturina, por në anën tjetër si duket Komuna e Prishtinës nuk bën asnjë veprim me mirëmbajt. I bëjmë ftesë Komunës dhe qytetarëve që ta mirëmbajnë këtë hapësirë pasi që e kemi pastruar ne”, tha Karaxhiu.