Për 9 muaj, 232 raste të narkotikëve në Policinë e Prishtinës

PrishtinëPostuar: 16:55 / 25.09.2017

Njësitet policore të stacionit Qendra në Prishtinë, gjatë fundjavës kanë ndërmarrë një operacion në disa rrugë të qytetit, ku kanë arritur të ndalojnë dhe kontrollojnë mbi 100 vetura, të shqiptojnë 21 fletëparaqitje për kundërvajtje të trafikut, si dhe të shoqërojnë në stacion policor gjashtë persona të dyshuar për posedim të paligjshëm të substancave narkotike.

Sipas Policisë, gjashtë personat e shoqëruar në stacion policor të moshës prej 22-31 vjeç, pas përfundimit të intervistimit nga ana e policisë me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Operacioni është realizuar në rajonin e përgjegjësisë së stacionit policor Qendra në Prishtinë, në rrugën Tirana, Fehmi Agani, Migjeni, Luan Haradinaj, Enver Zymberi, Ahmet Krasniqi, respektivisht në afërsi të lokaleve të natës, që frekuentohen nga të rinjtë. Raste të tilla, posedim të paligjshëm të substancave narkotike, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë që nga 1 janari i vitit 2017 deri më sot janë iniciuar gjithsej 231”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia sqaron se nga 21 fletëparaqitjeve, 9 janë shqiptuar për drejtim të mjetit nën ndikim të alkoolit./Indeksonline/