Për tre muaj, 14 kamionë të konfiskuar me thëngjill që shitej ilegalisht

PrishtinëPostuar: 09:48 / 16.01.2019

Gjatë tre muajve të fundit janë konfiskuar 14 kamionë me thëngjill të shitur ilegalisht nga inspektorë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), si masë për parandalimin e ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Thëngjilli është përmendur si njëri ndër faktorët kryesorë, pas termocentraleve të KEK-ut, që kontribuon në ndotjen e ajrit, prandaj ai edhe është ndaluar për përdorim në institucionet publike. Por thëngjilli që shitet ilegalisht është cilësuar si shumëfish më i rrezikshëm për ambientin dhe shëndetin e qytetarëve për shkak se është i papërpunuar, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, konfiskime apo ngritje rastesh në hetuesi kundër shitësve ilegalë të thëngjillit nuk ka bërë asnjë institucion tjetër. Komuna e Prishtinës nuk i ka bërë publike këto të dhëna, përderisa Ministria nuk ka dërguar raste në gjykatë për shitësit ilegalë të thëngjillit.