Prishtina nis pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave

PrishtinëPostuar: 14:46 / 12.04.2019

Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit (DShPMSh) e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) kanë identifikuar 141 deponi ilegale në kryeqytet.

Siç thuhet në njoftim, si rrjedhojë e këtij hulumtimi, këtë javë kanë filluar largimin sistematik të këtyre deponive, gjë që do të vazhdojë përgjatë dy muajve të ardhshëm.

"Një numër i madh i deponive të identifikuara gjenden në prona private të cilat do duhej të largoheshin nga pronarët. Njoftojmë që, për shkak të ndikimeve të ndryshme negative që kanë këto deponi, ne do i largojmë ato nëse e njëjta nuk bëhet nga vet pronarët", thuhet në njoftim.

"Njëkohësisht u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që të jenë të ndërgjegjshëm lidhur me hedhjen e mbeturinave të tyre. Bashkë mund ta mbajmë Prishtinën tonë të pastër!", përfundon njoftimi i Komunës së Prishtinës. /InfoKomuna/