Vetëvendosje kërkon shkarkimin e bordit të Stacionit të Autobusëve

PrishtinëPostuar: 17:11 / 18.10.2018

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media sot ka paraqitur keqpërdorimet që janë gjetur nga auditori i përgjithshëm për ndërmarrjen komunale “Stacioni i Autobusëve” dhe Trafikun Urban në Prishtinë, duke kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti që të shkarkojë bordin e Stacionit të Autobusëve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani tha se ndërmarrja publike “Stacioni i Autobusëve” ka dështuar t’i përmbushë rekomandimet e dala nga auditori i përgjithshëm. Ai tha se bordi i kësaj ndërmarrje ka shpenzuar më shumë mjete se sa ka pasur të hyra financiare, transmeton kp.

“Përfaqësuesit e kësaj ndërmarrje publike komunale kanë dështuar t’i përmbushin rekomandimet e dhëna të auditorit të përgjithshëm duke u treguar jashtëzakonisht të papërgjegjshëm dhe indiferent ndaj situatës financiare të kësaj ndërmarrje. Papërgjegjshmëria duhet të shpërputhet thellë në mes të hyrave dhe shpenzimeve të cilat dallojnë për 165 mijë e 638 euro. Pra ky bord ka shpenzuar shumë herë më shumë sesa ka pasur të hyra financiare”, ka thënë Ramadani.

Ai tha se tarifa prej 10 centësh që udhëtarët është dashur ta paguajnë në stacionin e autobusëve ka qenë një “plaçkë“ dhe nuk ka bazë ligjore.

Ndërsa, asamblisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, Eman Rrahmani tha se qëllimisht po tentohet të falimentohet ndërmarrja komunale “Stacioni i Autobusëve”.

“Kjo ndërmarrje qëllimisht po tentohet të falimentoj me qëllim të shfrytëzimit nga grupet e caktuara biznesore që tashmë nuk mohohen as nga kryetarët komunal që kanë interesim për marrjen e pasurisë së kësaj ndërmarrje. Kjo gjendje është tentuar të fshihet për shkak të koalicioneve të fshehta të Shpend Ahmetit për ndarjen e këtyre ndërmarrjeve publike, pra me anëtarët e koalicionit të partive tjera”, tha ai.

Rrahmani duke i treguar disa nga të gjeturat e auditorit të përgjithshëm për stacionin e autobusëve tha se në dy ndërmarrjet publike në “Stacionin e Autobusëve” dhe Trafikun Urban të Prishtinës kanë ndodhur keqpërdorime të mëdha me para.

Ai tha se do të kërkojnë nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti që të ndërmarrë masa që t’i ndalojë vjedhjet dhe keq menaxhimet në këto ndërmarrje.

“Këtu kemi të bëjmë përveç performancës së dobët ku në vitin 2016 kemi një humbje prej 167 mijë e 38 euro , po ashtu edhe në vitin 2017 kemi humbje prej 224 mijë e 910 euro humbje, ku punëtorët e kësaj kompanie vjedhin më tutje shtëpinë e vetë aty ku nga ky buxhet edhe marrin rrogat e tyre. E njëjta gjendje fatkeqësisht është edhe në trafikun urban ku sipas informatave që kemi është gjetur një arkë fals e cila lëshon kupon fiskal. Kërkojmë nga kryetari i komunës pasi që tani e ka shumicën e aksionarëve dhe mundet qysh sot të shkarkojë bordin e kësaj ndërmarrje dhe të marr hapat dhe masat e duhura për të filluar një menaxhim të mirë të kësaj ndërmarrje dhe t’i ndalojë vjedhjet dhe keqmenaxhimet” tha ai.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se bordi i Stacionit të Autobusëve ka bërë shkelje pasi ka shpërblyer veten kur kjo ndërmarrje ka pasur humbje në të hyra.

KaçanikKomente: 0 Tri fshatra të Kaçanikut përfitojnë asfaltim rrugësh 17:03 / 12.11.2018 Banorët e fshatit Elezaj, Stagovë dhe Kaçanik i Vjetër kanë përfituar asfaltimin e disa rrugëve dhe rrugicave nga buxheti vetjak i Komunës dhe me mbështetje të Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej rreth 100 mijë eurosh.
PrishtinëKomente: 0 Parkingu nëntokësor në kryeqytet nuk zgjidh tollovinë 11:46 / 12.11.2018 Ndërtimi i parkingut nëntokësor pritet të fillojë në fund të muajit dhjetor, ndërsa punimet janë paraparë të zgjasin një vit e gjysmë. Por komuna e Prishtinës krahas kësaj ende nuk e ka projektin se si do duket ky parking dhe sa do të kushtojë.