Arkëtohen gjysmë milioni më pak se në tremujorin e parë të 2017-s në Prizren

PrizrenPostuar: 10:43 / 12.05.2018

Komuna e Prizrenit në tremujorin e parë të këtij viti ka arkëtuar më pak të hyra vetjake në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në bazë të të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Financave del se ne çerekun e parë të këtij viti janë arkëtuar gjysmë milionë më pak të hyra sesa në periudhën krahasuese të vitit të kaluar.

Në raportin e DF-së shkruan se në periudhën janar-mars 2018 janë arkëtuar 1 milion e 198 mijë euro të hyra vetjake.

Parashikimi i kësaj komune është që gjatë vitit 2018 të arkëtohen gjithsejtë 8 milionë e 121 mijë euro të hyra vetjake. Kësisoj në tre muajt e parë, shkalla e realizimit të të hyrave vetjake është vetëm 14,75 për qind, shkruan sot Koha Ditore.

Vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë raportuese Prizreni kishte arkëtuar afër 1.7 milionë euro nga të hyrat vetjake.

“Shuma e tërësishme e arkëtuar e të hyrave vetjake komunale për këtë periudhë të raportimit është 1 milion e 697 mijë euro ose 28 për qind e shumës së planifikuar vjetore prej 6,1 milionë euro”, shkruan në raportin e realizimit të buxhetit për tremujorin e parë të vitit 2017.