Bizneset në Qendrën Historike të Prizrenit urdhërohen të pajisen me leje për reklama

PrizrenPostuar: 13:23 / 06.03.2019

Komuna e Prizrenit ju ka dhënë afat deri në fund të këtij muaji afaristëve që operojnë në Qendrën Historike të qytetit që të pajisen me leje për vendosjen e reklamave.

Sipas njoftimit të organeve komunale, në rast se bizneset nuk i përmbahen kësaj kërkese atëherë do të ndërmerren veprime për largimin e detyrueshëm të reklamave të kundërligjshme, shkruan Koha Ditore.

“Drejtoria e Inspektorateve ka filluar me trajtimin e të gjitha reklamave të përhershme, shenjave private, dekorimeve apo elementeve penguese të vendosura në ballinë të lokaleve afariste, të cilat kanë sipërfaqe më të madhe se një metër katror dhe nuk janë të pajisura me leje përkatëse nga organet kompetente komunale, ashtu siç e parasheh neni 6 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Të gjitha lokalet afariste përbrenda Qendrës Historike, urdhërohen që deri në fund të muajit mars, të pajisen me pëlqime (leje) për vendosjen e këtyre reklamave tek Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Tutje aty shkruan se “në të kundërtën, pas afatit të paraparë për leje, do të bëhet largimi i reklamave të kundërligjshme në mënyrë të detyrueshme nga ana e Drejtorisë së Inspektorateve”. /InfoKomuna/