"Eko-regjioni" sërish reagon ndaj djegies së kontejnerëve

PrizrenPostuar: 11:20 / 14.01.2019

Aktet e djegies e shkatërrimit të kontejnerëve të mbeturinave në qytetin e Prizrenit po vazhdojnë edhe në fillim të këtij viti.

Kompania rajonale e mbeturinave “Eko-regjioni” ka përsëritur thirrjen që qytetarët të mos i djegin kontejnerët, duke pasur parasysh edhe faktin se ato janë blerë me fondet publike.

“Bëjmë apel te qytetarët që të jenë më të kujdesshëm e të mos i djegin kontejnerët. Këta kontejnerë janë pasuri e jona e përbashkët, janë pronë komunale, e cila në asnjë mënyrë nuk bënë të dëmtohet e përdhoset!”, thuhet në reagimin e KRM “Eko-regjioni”. Kjo kompani, bashkë me reagimin ka publikuar edhe dy fotografi, ku shihet kontejneri i shkatërruar si pasojë e zjarrit.

Shqetësimet lidhur me aktet e djegies së kontejnerëve “Eko-regjioni” i ka shprehur në disa raste edhe gjatë vitit të kaluar. Në muajin tetor të vitit 2018, kjo kompani pati alarmuar se si kontejnerët e plastikës të vendosur në pika publike në lagjen ‘Ortakoll’ po digjen vazhdimisht.