"Hidroregjioni Jugor" në aksion ndaj konsumatorëve borxhlinj në Prizren

PrizrenPostuar: 11:42 / 24.07.2019

Punonjësit e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor“ në Prizren kanë filluar aksionin treditor të shkyçjeve individuale ndaj konsumatorëve borxhlinj. Sipas tyre, kjo masë do të aplikohet ndaj konsumatorëve që kanë mbi 300 euro borxhe dhe që refuzojnë pagesën e nënshkrimin e kontratës lidhur me obligimet e tyre ndaj kompanisë.

Ekipet e kompanisë “Hidroregjioni jugor” të martën kanë bërë të ditur se kanë filluar aksionin treditor të shkyçjeve individuale në rrugën “William Walker“, “Brigada 128”, “Mbreti Pleurat“ dhe në disa rrugë dhe rrugica të tjera, shkruan sot Koha Ditore.

Zëdhënësja e kompanisë, Nderona Kurtaj, ka bërë të ditur se ky aksion po realizohet në kuadër të masave të planifikuara për përmirësimin e arkëtimit dhe me qëllim të përmirësimit të furnizimit, me ç’rast Kompania ka rritur angazhimet në shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj dhe keqpërdoruesve të ujit.

Sipas saj, të gjithë ata konsumatorë që nuk nënshkruajnë kontratë për shlyerje të borxhit mbi shumën 300 euro, do t’u nënshtrohen shkyçjeve.