Keqbërësit në Prizren dëmtojnë fidanët e mbëltuar rishtas

PrizrenPostuar: 11:11 / 14.05.2018

Dëmtimi i fidanëve të sapo mbëltuar në Prizren është dënuar nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka. Madje sipas tij keqbërësit duhet të kenë mendje kriminale për të kryer vepra të tilla të shëmtuara, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Nuk di çfarë psikopatologjie kriminale mund ta shpjegojë dëmtimin e fidanëve. Njeriu me të vërtetë duhet me qenë me mendje kriminale t’i shkatërrojë fidanët e rinj në këtë mënyrë. Shkatërrimi i ambientit është krim, prandaj ftoj gjithë qytetarët të raportojnë rastet të tilla…”, ka reaguar Haskuka nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ai i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. Muajin e kaluar, Haskuka pati raportuar se për një muaj janë mbëltuar 550 fidanë të rinj dhe se po krijohen hapësira të reja për mbëltimin e më shumë drunjve dekorativë, madje edhe duke larguar pjesë të asfaltit nga trotuaret. Sipas tij, ky angazhim po bëhet me qëllim të krijimit të një Prizreni më të gjelbër.