Komuna e Prizrenin punon me personel të reduktuar

PrizrenPostuar: 18:17 / 16.03.2020

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë të pandemisë COVID-19 dhe zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por njëkohësisht edhe ofrimit të shërbimeve të domosdoshme për qytetarë, Komuna e Prizrenit gjatë ditëve në vijim do të punojë me personel të reduktuar.

Shërbimet ndaj qytetarëve do të ofrohen nga numri minimal i zyrtarëve dhe vetëm për ato shërbime që janë të domosdoshme, deri në tejkalim të kësaj situate.

Në drejtoritë komunale, zyrtarët që do të punojnë janë sikur më poshtë:

1. Drejtoria e Administratës – One Stop Shop (nga një zyrtar: në Gjendjen civile, Kërkesat, Shërbimi Juridik, Zyrtari i Kadastrit, Protokolli, Zyrtari i Arkës) Sektori teknik (Koordinatori, Zyrtarja e Furnizimit, Zyrtari i Depos, Shoferët e Komunës) dhe Zyrtari i financave. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

2. Drejtoria e Shërbimeve Publike - Nga një zyrtar në secilin sektor të DSHP-së. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

3. Drejtoria e Inspektorateve - I gjithë stafi punon.

4. Drejtoria e Shëndetësisë - I gjithë stafi i QKMF punon. Zyrtarët e tjerë lirohen nga puna në zyre..

5. Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave - Zyrtari Kryesor Financiar, Zyrtarët e Thesarit, Zyrtarët e Kontabilitetit. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

6. Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Zyrtarët kujdestarë të Qendrës për Punë Sociale punojnë. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

7. Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri - Brigada e Zjarrfikësve punon. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

8. Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor - Koordinatori, dy zyrtarë të urbanizmit dhe një zyrtar ligjor punojnë. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

9. Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrit - Një zyrtar ligjor, dy zyrtarë të gjeodezisë, një referent dhe një zyrtar i protokolit punojnë. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

10. Drejtoria Komunale e Arsimit - Koordinatori, zyrtari për zotime dhe një zyrtar i protokolit punojnë. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

11. Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Zyrtarët e shërbimit të librave punojnë. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

12. Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik – i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.

13. Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.

Ndërsa në Zyrat e tjera, zyrtarët që do të punojnë janë sikur më poshtë:

1. Kabineti i nënkryetarëve - i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.
2. Zyra e Prokurimit - Dy zyrtarë të prokurimit punojnë. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.
3. Njësia e Auditimit të Brendshëm – i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.
4. Zyra e Personelit - i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.
5. Zyra e Integrimeve Evropiane - i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.
6. Zyra për komunikim me publikun - i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.
7. Zyra e Pronës - i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.
8. Zyra Ligjore - i gjithë stafi lirohet nga puna në zyre.
9. Zyra e përfaqësimit ligjor - Zyrtarja e protokollit punon. Të tjerët lirohen nga puna në zyre.

• Drejtorët e Drejtorive janë përgjegjës që të bëjnë planifikimin për zyrtarët që do të ofrojnë këto shërbime sipas këtij njoftimi. Të gjithë zyrtarët komunalë do të trajtohen drejtë dhe barabartë sa i përket angazhimit me rotacion.

• Të gjithë zyrtarët komunalë, duhet të jenë në gatishmëri që nëse kërkohet shërbimi edhe në detyra të tjera, të jenë të gatshëm t'i ofrojnë ato pavarësisht rrethanave.

• Të gjithë zyrtarët që ofrojnë shërbime komunale gjatë kësaj periudhe, do të jenë të pajisur me masa të nevojshme mbrojtëse.

Ky njoftim mund të plotësohet apo ndryshohet në çdo kohë varësisht prej situatës. /InfoKomuna/