“Komuna e Prizrenit dështoi në projektet kapitale”

PrizrenPostuar: 10:59 / 08.04.2019

Raportimi i Ekzekutivit të Prizrenit lidhur me realizimin e buxhetit të vitit 2018 ka ngjallur kritikat e këshilltarëve nga radhët e partive opozitare dhe atyre të koalicionit qeverisës.

Përderisa këta të fundit kanë kërkuar sqarime për realizimin e projekteve dhe subvencioneve, në anën tjetër opozitarët kanë akuzuar qeverisjen lokale për luks të tepruar në shpenzimet për drekat zyrtare, për karburante e mirëmbajtje të veturave, mobilie e pajisje, udhëtime jashtë vendit, etj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Drejtori i Financave, Ertan Simitçi, ka pranuar se Komuna e Prizrenit “ka pasur shumë probleme lidhur me procesin e realizimit të buxhetit, pasi që ka qenë një mandat i ri, me Ekzekutiv të ri”.

“Kemi pasur disa sfida. Disa projekte të mëdha janë planifikuar me shuma të vogla financiare dhe mosrishikimi i buxhetit vjet nga niveli qendror kanë qenë sfida që ia kanë pamundësuar Komunës së Prizrenit realizimin e plotë të buxhetit”, ka thënë Simitçi.