Komuna e Prizrenit me projekt që ndihmon grupet e cenuara për qasje në mësim parafillor, fillor dhe të mesëm

PrizrenPostuar: 12:16 / 03.02.2021

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka pritur në takim shefin e Zyrës së Këshillit Evropian në Prishtinë, Frank Power, me të cilin ka biseduar për projektet e përbashkëta, veçanërisht për projektin “INCLUDE”, i cili ka për qëllim t’i ndihmojë grupet e cenuara për qasje në arsim cilësor parafillor, fillor dhe të mesëm.

Përveç kësaj, sot kryetari Haskuka ishte panelist edhe në konferencën e organizuar nga UNDP Kosovo, lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Kosovë.

Gjatë këtij paneli, ku u diskutua lidhur me efektet e pandemisë në turizëm dhe ekonomi, kryetari Haskuka prezantoi aktivitetet e Komunës së Prizrenit për uljen e pasojave të pandemisë në sektorin e turizmit, si dhe aktivitetet e realizuara pas aprovimit të strategjisë së turizmit, 80 % e së cilës tanimë është zbatuar.