Komuna i kërkon gjyqësorit heqjen e pezullimit të PZhK-së

PrizrenPostuar: 10:37 / 19.04.2018

Autoritetet komunale të Prizrenit, të mërkurën, kanë përsëritur qëndrimin se pezullimi i Planit Zhvillimor Komunal nga gjyqësori është vendim absurd që i cenon të drejtat e qytetarëve të kësaj komune.

Ata kanë pohuar se lidhur me këtë çështje javën e ardhshme sërish do të prezantohen argumentet para Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i çështjeve administrative. Sipas tyre në rast se kjo gjykatë e heq masën e përkohshme të pezullimit të PZHK-së, atëherë lejet ndërtimore nga DUPH-ja mund të lëshohen që prej muajit maj, shkruan sot Koha Ditore.

“Arsyeja pse nuk lëshohen lejet ndërtimore në Komunën e Prizrenit nga DUPH-ja është se kemi një kontest gjyqësor me Hekurudhat e Kosovës, që i ka dorëzuar 96 padi ndaj Komunës së Prizrenit. Në njërën nga këto padi, gjykata ka vendosur që të pezullohet PZhK-ja. Pezullimi i PZHK-së nënkupton se nuk mund të jepen lejet ndërtimore”, ka thënë kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.