Prizreni mban dëgjim publik për banimin social

PrizrenPostuar: 15:15 / 25.09.2018

Komuna e Prizrenit, në kuadër të bashkëpunimit me organizatën Developing Together për përpilimin e programit trevjeçar për banim social, ka mbajtur sot debat publik me qytetarë.

Drejtori i Developing Together, Driton Tafallari, duke prezantuar programin trevjeçar të banimit social, ka dhënë sqarime në lidhje me kategoritë që duhet të ndihmohen, si dhe të drejtat dhe obligimet e qytetarëve kundrejt banimit social, derisa nënkryetari i Komunës, Eshref Memaj dhe drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, iu përgjigjën qytetarëve për pyetjet e parashtruara nga ta.

Komuna e Prizrenit me anë të këtij programi synon të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve më të varfra, duke siguruar kushte të nevojshme për banim. /InfoKomuna/