Prizreni shpërndan farë misri për fermerët

PrizrenPostuar: 14:13 / 19.04.2019

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sot së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Egzon Elshani bënë shpërndarjen e farës së misrit, për përfituesit e projektit “Furnizimi me farë misri”.

Përfitues nga ky subvencion ishin të gjithë aplikuesit, pra 600 fermerë të Komunës së Prizrenit, të cilët u furnizuan me gjithsej 900 paketime të farës së misrit që do të mbillen në 450 hektarë.

Kryetari Haskuka u shpreh se bujqësia është një prej prioriteteve të Komunës së Prizrenit, meqë ajo ndikon në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik.

Ai njoftoi se do të vazhdohet ofrimi i subvencioneve dhe të granteve për fermerë dhe uroi një vit të mirë dhe të begatshëm për ta. /InfoKomuna/