Quni: Pensionistët do të rikthehen në qendër të vëmendjes së qeverisë lokale

PrizrenPostuar: 16:32 / 22.09.2021

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, sot vizitoni shoqatën e pensionistëve në këtë qytet.

Quni në mes tjerash është zotuar për ta mbështetur këtë kategori sociale, duke thënë se me LDK-në në pushtet, kjo kategori e harruar, do të rikthehet në qendër të vëmendjes së qeverisë lokale.

Postimi i plotë:

Pensionistët, janë kategori kontributdhënëse ndaj të cilëve si shoqëri kemi obligim të rrisim përkujdesin. Në ambientet e shoqatës së tyre, ishte kënaqësi bashkëbisedimi me ta.

Me nostalgji flisnin për kohën kur LDK-ja ka qeverisur me komunën, kohë kjo kur Shoqata e Pensionistëve ka pasë vëmendjen e pushtetit lokal, duke i ndihmuar me medikamente dhe mbështetje për funsionalitetin e Ambulancës në kuadër të shoqatës, për nevojat e pensionistëve.

Kryetari, Musa Jorgangjiu, na tha se tash e disa vite, Ambulanca është e mbyllur, jo funksionale. As medikamente nuk ju ka ofruar kush, as kurrfarë përkujdesje nuk kanë marrë nga qeveria lokale.

Edhe projekti i shumë përfolur dhe i propaganduar për ndërtimin e një strehimoreje për të moshuarit pa përkujdesje, nuk është realizuar.

Me LDK-në në pushtet, kjo kategori e harruar, do të rikthehet në qendër të vëmendjes së qeverisë lokale.

Për këtë u zotova para tyre.
Përkujdesin ua kemi borxh.

Pensionistët meritojnë të jetojnë dinjitetshëm.
Kjo qeveria e dështuar, duhet ndëshkuar.