Rastet e korrupsionit dhe të fajdeve sfidojnë Prokurorinë e Prizrenit

PrizrenPostuar: 11:37 / 18.01.2019

Drejtuesit e Prokurorisë Themelore të Prizrenit kanë theksuar se ky organ gjatë vitit të shkuar ka treguar efikasitet në kryerjen e lëndëve.

Sipas të dhënave të prezantuara nga kryeprokurori i rajonit të Prizrenit, Admir Shala, del se kjo Prokurori në vitin e shkuar ka kryer më shumë kallëzime penale në krahasim me numrin e pranuar të tyre. Megjithëkëtë, Shala ka veçuar vështirësitë në ndjekjen e veprave penale të korrupsionit dhe rastet e fajdeve.

“Sfidë edhe më tutje për këtë institucion mbeten veprat penale të korrupsionit dhe rastet e fajdeve, në të cilat jo rrallë mungojnë dëshmitarët, madje këta të fundit edhe i ndërrojnë deklaratat”, ka thënë Shala, gjatë një konference për media, në të cilën është prezantuar raporti i punës për vitin 2018 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2019, shkruan sot Koha Ditore.

Ai ka bërë të ditur se sa u përket veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të trashëguara nga vitet paraprake kanë qenë 22 kallëzime penale me 37 persona, derisa janë pranuar edhe 47 kallëzime penale me 80 persona. /InfoKomuna/