Rivlerësohet prokurimi për planin rregullues “Lakuriqi verior 2” në Prizren

PrizrenPostuar: 10:57 / 19.12.2017

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka njoftuar Komunën e Prizrenit se aktiviteti i prokurimit “Riparcializimi sipas planit rregullues Lakuriqi verior 2” duhet të kthehet në rivlerësim.

Në të njëjtën kohë ky organ ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit që të kthejë prapa vendimin mbi anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në njoftimin e publikuar muaj më parë për anulimin e aktivitetit të prokurimit, Zyra e Prokurimit në Komunën e Prizrenit pati pohuar se “asnjëri prej operatorëve ekonomikë konkurrentë nuk kanë qenë të përgjegjshëm përkatësisht se nuk kanë paraqitur referenca adekuate”.

Ndaj këtij vendimi të Komunës së Prizrenit, në OSHP janë ankuar operatori “Geo Map” dhe operatori “Urban Metropol”, duke pretenduar se autoriteti kontraktues nuk i ka respektuar dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Autoriteti Kontraktues aktivitetin e prokurimit ‘Riparcializimi sipas planit rregullues Lakuriqi verior 2 në Prizren’ duhet ta kthejë në rivlerësim konform dispozitave të LPP-së”, thuhet në njoftimin e OSHP-së.