Zyrtarë arsimorë nga Berati vizitojnë Prizrenin

PrizrenPostuar: 10:21 / 05.12.2018

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe drejtori i Arsimit, Skënder Susuri kanë takuar dje përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Arsimit nga Bashkia e Beratit, në krye me drejtorin Selman Hodaj, me të cilët janë pajtuar që të ketë bashkëpunim më të thellë nga viti i ardhshëm.

Sipas njoftimit të Zyrës së informimit, përveç binjakëzimit të shkollave nga Prizreni dhe Berati, ky bashkëpunim do të fuqizohet edhe me shumë projekte të përbashkëta midis Drejtorisë së Arsimit në Prizren dhe Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Berat, që do të ketë për qëllim rritjen e cilësisë në arsim, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Vizita e delegacionit nga Berati ka të bëjë me organizimin e një punëtorie, që do të kulmojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis 2 drejtorive për realizimin e disa projekteve të përbashkëta, sikurse edhe binjakëzimin e 7 shkollave”, ka thënë drejtori i Arsimit, Skënder Susuri. Sipas tij, qëllimi i këtyre aktiviteteve do të jetë shkëmbimi i përvojave mes komunitetit shkollor të dy qyteteve.

“Po ashtu, do të punohet që binjakëzimet e shkollave të sjellin rezultat në aspektin e cilësisë”, është shprehur ai. Nga ana tjetër drejtori i DAR-it në Berat, Selman Hodaj, ka pohuar se ujdia midis drejtorive parasheh bashkëpunim në projektet për trajnimin e mësimdhënësve, realizimin e kurikulës, derisa binjakëzimi me shkollat e Prizrenit parasheh shkëmbimin e përvojave të nxënësve dhe mësimdhënësve.