Prizreni projekte të përbashkëta me komunat e Shqipërisë

Postuar: 10:15 / 23.01.2018

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, në Kosovës Qemal Minxhozi ka vizituar të hënën Komunën e Prizrenit ku është takuar me kryetarin Mytaher Haskuka.

Gjatë këtij takimi të dy janë pajtuar për projekte kulturore dhe organizime të përbashkëta duke marrë parasysh që sivjet është 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kryetari Haskuka ka thënë se kanë biseduar edhe për një sërë projektesh për bashkëpunim ekonomik me prioritet në zhvillimi e turizmit dhe bujqësisë.


“U pajtuam me ambasadorin që Prizreni mund të jetë komuna ku mund të bëjmë takime të përbashkëta ndërmjet komunave të Prizrenit, Gjakovës, Tetovës, Kukësit, Tropojës dhe Hasit, për të zhvilluar projekte të përbashkëta zhvillimore”, theksoi Mytaher Haskuka.

Ndërkaq, Ambasadori Qemal Minxhozi ka thënë se kanë diskutuar me kryetarin Haskuka për rritjen e bashkëpunimit kulturorë por edhe ekonomik.

“Brenda dy apo tre jave do të hartohet një kalendar për organizimin e veprimtarive të ndryshme të përbashkëta”, tha Minxhozi.