Prizreni vazhdon me trajtimin e qenve endacakë

PrizrenPostuar: 12:11 / 20.05.2019

Komuna e Prizrenit ka kontraktuar sërish një kompani për trajtimin e qenve endacakë, e cila do të jetë e angazhuar për dy vitet e ardhshme për kapjen e tyre, trajtimin duke përfshirë sterilizimin, vaksinimin dhe matrikulimin, përkujdesjen në qendrën e trajtimit dhe në rast të konstatimit për gjendjen e mirë shëndetësore edhe lëshimin në vendin ku janë kapur.

"Pas trajtimit të rreth 800 qenve endacakë nga Komuna e Prizrenit vitin e kaluar, është paraparë që të trajtohen edhe 2000 qenë të tjerë", thuhet në njoftim.

Për të qenë sa më efikas në trajtimin e qenve, ftojmë qytetarët për bashkëpunim, të cilët i lusim që në rast se haset tek qentë të pa trajtuar (nëse nuk kanë kapëse në vesh), të na raportojnë menjëherë në Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 19 200 apo në Viber dhe WhatsApp në numrin +383 45 119 200.

Trajtimi i qenve endacakë ka për qëllim kujdesin mjekësor dhe mbajtjen nën kontroll të shtimit të tyre, duke shërbyer në dobi të qytetarëve por edhe vetë këtyre qenve. /InfoKomuna/