Qendra e Prishtinës dizajnohet të ketë më pak parkingje dhe lëvizje automjetesh

PrishtinëPostuar: 11:41 / 25.03.2019

Komuna e Prishtinës, përmes Planit të mobilitetit, ka projektuar rritjen e tarifave për parkingjet brenda qytetit, kufizime të qasjes së automjeteve në qendër të qytetit, si dhe zvogëlimin e vendparkingjeve për qëndrim të gjatë, në qendër të qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rreth zgjidhjes së çështjes së parkingjeve, që është njëri ndër problemet më të mëdha që e kanë përcjellë kryeqytetin e Kosovës që nga paslufta, në Planin e mobilitetit të publikuar rishtazi nga Komuna e Prishtinës thuhet se “është e rëndësishme të futen masa të kufizimit të kërkesave dhe të hulumtohen e iniciohen opsione të mëtejshme për zhvillim të ardhshëm, duke përfshirë rritjen e tarifave për parkim të automjeteve në rrugë dhe jashtë rrugës (parkingje), zhvillimin e kufizimeve të qasjes në qendër të qytetit dhe zvogëlimin e vendparkimeve në dispozicion për qëndrim të gjatë në qendër të qytetit”.

Aty theksohet se menaxhimi efektiv i kërkesave për parkingje luan një rol kyç në këtë qasje për të ndihmuar menaxhimin e rritjes së vazhdueshme në nivelet e trafikut dhe për të inkurajuar njerëzit të marrin parasysh alternativa të tjera.