Qeveria dhe Komunat në 2019-ën bashkërisht të fokusuara për zhvillim ekonomik lokal

Postuar: 16:11 / 16.01.2019

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur vitin 2019 vit të ekonomisë, ndërkaq për komunat vit për zhvillimin ekonomik lokal.

Nga dialogu dhe bashkëpunimi përgjatë vitit 2018 janë identifikuar dhe adresuar një seri e sfidave nisur nga legjislacioni, vendimet e Qeverisë karshi Komunave, mbështetja e shtuar buxhetore, para së gjithash, kthimi në fokus i përkrahjes dhe bashkëpunimit me komunat. Gjetja e përbashkët e zgjidhjeve ka reflektuar në komuna më të qëndrueshme, më funksionale dhe më të përgatitura për të hapur një perspektivë të re zhvillimore.

Për të ri-kthyer në vëmendje detyrat që kemi marrë dhe që kemi kryer si një hap i rëndësishëm për agjendën zhvillimore të vitit 2019 nisur nga Miratimi i Projektligjit për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale; Ligji për Kryeqytetin; është buxhetuar Ligji për Zonën e Mbrojtur të Obiliqit; është proceduar politikë e re për financat e pushtetit lokal, në fushën e teatrove, në trajtimin e ndërtimeve pa leje, menaxhimit të ndërmarrjeve publike dhe një seri ndryshimesh në legjislacionin që avancon funksionimin e qeverisjes lokale. U dakorduam që nga agjenda qeveritare prej 70 ligjeve, 21 ligje që prekin qeverisjen lokale t’i trajtojmë me fokus bashkërisht me komunat dhe akterët tjerë.

Janë mbi 50 vendime që adresojnë kërkesat e komunave të dala direkt nga forumi, vizitat në komuna dhe adresimi i vazhdueshëm, në mesin e tyre ato për kthim të pronës dhe dhënien në shfrytëzim në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, ku nga 26 kërkesa të gjitha janë aprovuar. Tashmë kemi edhe 14 kërkesa të reja, por që duhet të presim dhe trajtojmë me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Çdo kërkesë në funksion të zhvillimit ekonomik është adresuar menjëherë, për të theksuar këtu Parkun Inovativ Trajnues në Prizren dhe Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane në Gjakovë, pa përjashtuar Drenasin, Vushtrrinë, Malishevën, Rahovecin dhe të gjitha kërkesat tjera.

Në fokus kemi trajtuar problemet e kryeqytetit, duke përfshirë Pallatin e Rinisë, Sallën Koncertale, Unazën e madhe të Kryeqytetit. Qeveria ka vendosur fokus në projektet e mëdha që komunat të vetme nuk mund t’i realizojnë, qoftë në fushën ambientale, shërbimeve publike, edukimit, shëndetësisë, infrastrukturës si mundësi e gjetjes së zgjidhjes së qëndrueshme në këto fusha.

Sa i përket financimit, jemi angazhuar të rrisim ndjeshëm financimin komunal, qoftë përmes granteve, apo mbështetjes së ministrive të linjës. Këtu duhet përmendur dhe falënderuar donatorët për mbështetjen, jo vetëm financiare, por para se gjithash programore për t’i avancuar komunat, duke përfshirë këtu: USAID, Komisionin Evropian, Qeverinë Zvicerane, GIZ, Qeverinë Japoneze, Bankën Botërore dhe të gjitha vendet mike dhe partnerët zhvillimor që kanë mbështetur agjendën zhvillimore, forcimin e legjislacionit dhe praktikave dhe demokratizimin e komunave.

Viti 2019 do të jetë mundësia e qasjes së fondeve të IPA-së nga komunat në programin ‘Evropa për Qytetarët’. Ftoj që edhe më tutje partnerët zhvillimorë të mbështesin komunat; njëkohësisht u bëjë thirrje komunave që të forcojnë kapacitetet në absorbimin e fondeve zhvillimore. Qeveria pas shumë vitesh e kritikash do të sigurojë përmes Ligjit të Buxhetit financim të drejtë, të balancuar dhe me kritere nga niveli qendror për fushat sektoriale komunale (kjo do të normohet në Ligjin e ri për Financat e Pushtetit Lokal).

Janë disa kërkesa specifike që dua t’i përmendi që i kemi adresuar bashkërisht dhe do të vazhdojmë t’i adresojmë për të prodhuar zgjidhje të qëndrueshme: Problemi i zjarrfikësve; Siguria publike me theks në shkolla; Fonde shtesë për fëmijët me nevoja të veçanta; Fonde shtesë për pagat jubilare; Avancim i pagesës për përfaqësuesit komunalë dhe korrigjim të pabarazisë në pagë.

Mbetet ende shumë për t’u bërë, për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme, qoftë përmes legjislacionit, buxhetit shtesë për këto çështje, e në veçanti fokus më i madh në zgjatjen e dorën për qytetarët në nevojë dhe kategoritë e veçanta sociale.

Pra, nga këtu kërkoj të vendosim fokus të veçantë dhe të ndjekim një agjendë të përbashkët të zhvillimit duke: Adresuar dhe gjetur zgjidhje për pengesat në këtë fushë; Forcuar mbështetjen nga Qeveria dhe donatorët për projektet zhvillimore; Duke bë bashkë potencialin zhvillimor të vendit, mërgatës, investitorëve për të hapur perspektivë të re zhvillimore; Si parakusht i një Kosove të zhvilluar ekonomikisht dhe me mirëqenie për qytetarët e saj.