Hapet “Hardh Fest 2018”, Kryeministri premton përmirësim të gjendjes së vreshtave në Rahovec

RahovecPostuar: 15:28 / 07.09.2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 17-të të festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest” në Rahovec.

Haradinaj tregoi se për të është hera e parë që po merr pjesë në hapjen e kësaj feste në cilësinë e kryeministrit.

“Jam për herë të parë në hapjen e kësaj feste, në këtë cilësi. Ka qenë presidenti Rugova që e ka nisë këtë traditë. Kjo traditë është e ruajtur shumë mirë në Rahovec. Për këtë ia kemi lakmi të gjithë, për një traditë të tillë që e ka Rahoveci”.

Kryeministri shprehi keqardhje për vërshimet që kanë shkaktuar dëme në Rahovec, por tha se nuk do të ndalen së punuari në përmirësimin e gjendjes. “Qeveria është e vetëdijshme se vreshtarët janë dëmtuar shumë nga breshëri. Kemi marrë një pjesë të përgjegjësisë, dhe lajmi i mirë është se nuk do të ndalemi dhe do të punojmë bashkë me ju që hardhia, rrushi, vera, produktet e vendit tonë të mund të gjejnë jo vetëm konsumatorin vendor në Kosovë, që është me rëndësi të gjejnë konsumatorë edhe jashtë Kosovës, sepse jam i bindur se produkte më të mira, më natyrale, e më të vërteta sesa rrushin dhe verërat e Rahovecit, nuk besoj se dikush tjetër në botë mund të japë”.

Hapjen e Hardh Fest-it e bëri kryetari i komunës, Smajl Latifi, i cili i përgëzoi vreshtarët për punën e tyre të palodhshme, raporton EO. “Njerëzit sapo e përmendin emrin e Rahovecit, kujtojnë rrushin. Ne jemi këtu sot pikërisht për të promovuar këto produkte. Përgëzojmë vreshtarët e palodhshëm”. “E dimë çfarë duhet të bëhet që puna të japë rezultat, mbështetja e vazhdueshme nga institucionet, mbështetja për tregtarët, blegtorët. Përmbyllja dhe gjetja e tregut përbën qëllimin tonë të përbashkët”. “Promovimi i prodhimeve tona ka për synim të tregojmë se ne dimë, duam dhe ia dalim faqebardhë. Gjatë tri ditëve të Hardhfestit do keni mundësinë të shijoni rrushin e Rahovecit”.

Qëllimi i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, është promovimi i rajonit vreshtar të luginës së Rahovecit, Vertarisë, Rakisë, trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore si dhe turizmit rural në Kosovë. Gjithashtu, Hardh Fest ka për qëllim t’i ruajë traditat dhe zakonet e lidhura me vreshtarinë, verën dhe enologjinë, promovimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve, në të gjithë zinxhirin prodhues, si dhe mundësi për promovimin e turizmit rural të Komunës së Rahovecit në Kosovë, rajon dhe mbarë botën.

GjilanKomente: 0 Fillon projekti madhor 2.4 milionë euro në Gjilan 10:59 / 28.03.2024 Gjatë ditës së djeshme, kanë filluar punimet e njërit ndër projektet më të mëdha në Gjilan. Është fjala për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi” në vlerë prej 2.4 milionë euro.