Kryetari Vehapi fton qytetarët e Kosovës në festën e vjeljes së rrushit

RahovecPostuar: 16:32 / 06.09.2017

Në Rahovec nesër fillon festivali i vjeljes së rrushit "HardhFest" nën organizimin e programeve të ndryshme.

Andaj për këtë, kryetari i Rahovecit Idriz Vehapi u ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve të Kosovës që t'i bashkëngjiten këtij manifestimi, transmeton InfoKomuna.

Ftesa e kryetarit Vehapi për "Hardhfest":

"Të dashur qytetarë të komunës së Rahovecit,
Të dashur qytetarë të Kosovës,

Nesër, fillon festivali i vjeljes së rrushit “HardhFest”. Për katër ditë me radhë, Rahoveci do të shtrojë sofrën e madhe me rrush, verë, e produkte të tjera që për bazë kanë rrushin e ëmbël të vreshtave tanë.

Ju ftoj që të bëheni pjesë e kësaj feste, që do të shoqërohet me muzikë (këngëtarë të njohur nga vendi dhe bota) dhe aktivitete të ndryshme.

Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet që t’ju presim siç ka qenë gjithmonë zakon ndër shqiptarë të priten miqtë!
Me këtë rast, me kënaqësi i lajmëroj të gjithë vreshtarët e Rahovecit, se bodrumet e qytetit tonë, do të pranojnë të gjithë rrushin tuaj.

Punë të mbarë vreshtarë e verëtarë!
Qytetarë të Kosovës, Rahoveci po ju pret në festë!
Jeni të ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës! "