Latifi: Breshëri e shiu dëmtoi kulturat bujqësore në Rahovec

RahovecPostuar: 22:44 / 20.05.2020

Shiu i cili ra gjatë gjithë ditës së sotme u ka bërë problem qytetarëve të Rahovecit.

Rrebeshi i madh ka mbuluar rrugët me ujë duke shkaktuar vërshime që më pas është dashur të intervenojë edhe ekipa emergjente.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar duke thënë se pas këtyre vërshimeve, nesër pritet të krijohet komision i veçantë për vlerësim të situatës.

“Nesër pritet të formohen komisione të veçanta të vlerësimit, pasi që dëmet më të mëdha janë në bujqësi e mbase edhe në amvisëri. Po bëjmë çka është e mundur si komunë, dhe pas vlerësimit të dëmeve, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Teksa, zonat më të prekura në këtë Komunë nga breshëri janë: Zaqishti, Retija, Hoça e Vogël, Brestoci, Nagaci dhe Krusha e Madhe.