Rahovec: Zyrtarët komunalë do të sanksionohen për mosrespektim të orarit të punës

RahovecPostuar: 11:18 / 04.05.2018

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka takuar punëtorët e administratës komunale me të cilët ka diskutuar respektimin e orarit të punës dhe pajisjen e tyre me kartela për vijueshmërinë e tyre në punë dhe sanksionet në mos respektimin e orarit të punës.

Kryetari Latifi, u ka thënë punëtorëve të administratës se qëllimi i këtij takimi është i karakterit informues në lidhje me pajisjen tuaj me kartela të vijueshmërisë në punë, arsyeja e pajisjes suaj me kartela është që të dimë se kur ju vini në punë, kur dilni në pauzë dhe kur ju e përfundoni orarin e punës, transmeton InfoKomuna.

“Nga sot e tutje do të nis zbatimi i sistemit për vijueshmërinë tuaj në punë. Unë do të kërkoj nga shefi i zyrës së personelit që çdo muaj, të më raportoj në lidhje me vijueshmërinë e secilit punëtor, siç e dimë jemi të obliguar që konform ligjeve në fuqi të respektojmë orarin e punës. Krejt kjo është duke u bërë që të rrisim cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, pasi që kohë pas kohe ka ankesa nga qytetarët për mos prezencën e punëtorëve nëpër zyrat e tyre dhe sigurisht kjo nuk është e mirë as për ju e as për mua si Kryetar i Komunës", tha ai.

"Kërkoj nga ju që të respektoni orarin e punës dhe të mos vije deri tek dhënia e vërejtjeve verbale, me shkrim apo edhe dërgimi në komisione disiplinore. Ju njoftoj se jam në koordinim të plotë me drejtorinë e Administratës dhe drejtorinë për Buxhet dhe Financa, që punëtorët të cilët nuk e respektojnë orarin e punës, t'ju ndalen mëditjet”, ka thënë Kryetari Latifi para punëtorëve të administratës komunale.

Kërkesat e punëtorëve të administratës kishin të bënin me mundësinë e krijimit të tollovis në mëngjes fillimin e punës, në pauzë apo edhe në përfundimi të orarit të punës, tek pajisja ku duhet të vendoset kartela për vijueshmërinë në punë, gjatë kohës së dimrit të ndryshohet ora e pauzës, problemi me parking të veturave, bërja publike e vijueshmërisë së punëtorëve dhe lejimi i punëtorëve të cilët çdo të premte shkojnë për të falur xhumanë.

Kryetari Latifi, në përgjigjen në kërkesat e punëtorëve u thënë se sigurisht që ne do të kemi mirëkuptim për raste të veçanta, dhe do të shohim edhe anën ligjore se çka thotë ligji dhe në konformi ligjeve në fuqi do të veprojmë. /InfoKomuna/