Renovohet rrjeti elektrik në Pataqan të poshtëm të Rahovecit

RahovecPostuar: 14:55 / 14.03.2018

Një prej rajoneve të rëndësishme të komunës së Rahovecit është edhe Pataqani i poshtëm. Një fshat ky i populluar me banorë që njihen për kultivimin e rrushit dhe verërave.

Projekti investiv që ka ardhur nga KEDS-i, ka ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetës dhe punës për këtë rajon. Investimi ka përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike, e njëkohësisht ka sanuar rrezikun për banorët, që deri më tash vinte si pasojë e rrjetit të vjetëruar të ekspozuar që në hyrje të këtij fshati, ku edhe ndahen Pataqani i poshtëm me Fortesën.

87 ekonomi familjare kanë përfituar nga ky projekt.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tregon që në kuadër të këtij investimi janë vendosur shtylla të reja të betonit dhe trafo të re.

“Ndër 228 projektet investive që KEDS ka realizuar gjatë vitit 2017 është edhe projekti në fshatin Pataqan i Poshtëm, në komunën e Rahovecit. Në këtë projekt është vendosur trafo e re me fuqi 400 kVA, 66 shtylla të reja betonit për tension të ulët, 24 shtylla të reja të betonit për tension të mesëm si dhe te gjitha materialet percjellese”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Ndër 87 ekonomitë përfituese në këtë zonë, janë edhe familjet Musliu, Ahmeti, Zeka dhe të tjerë.

Banori i Pataqanit të poshtëm dhe anëtari i kryesisë së fshatit, Samedin Zeka, thotë se investimi që ka sjellur KEDS në këtë anë, ka qenë jashtëzakonisht i mirëpritur për komunitetin.

“Së pari është me rëndësi të themi se me investimin që KEDS e ka bërë në hyrje të fshatit, që nga rrjeti, kabllot e deri tek stabilimentet përcjellëse, ka evituar rrezikun e ekspozimit të faktorit njeri ndaj mekanizmave të vjetëruar. Poashtu investimet e KEDS kanë ardhur edhe këtu në brendi të fshatit tonë, dhe mund të them se jemi jashtëzakonisht të kënaqur”, shprehet Samedin Zeka.

Me investimet nga KEDS, në fshatin Pataqan është i kënaqur edhe Drejtori i Shërbimeve publike të komunës së Rahovecit, Përparim Krasniqi. Krasniqi pret që projekte të tilla KEDS të shtrijë edhe në zona të tjera të kësaj ane.

“Në Pataqan, KEDS ka bërë punë jashtëzakonisht të mirë, sipas asaj që shohim dhe që e dëshmojnë banorët. Nga kjo kompani presim dhe kemi besim se projektet për ne do të vazhdojnë”, thotë Krasniqi.

Plani Zhvillimor i Rrjetit të Shpërndarjes është një master plan i KEDS-it që parasheh investimin e 300 milionë eurove në rrjetin distributiv elektrik të Kosovës deri në vitin 2025. Përmes këtij master plani KEDS mëton të rinovojë rrjetin elektrik dhe ta bëjë atë të ngjashëm me rrjetet elektrike të shteteve të zhvilluara evropiane.