Rregullorja për orarin e kujdestarisë së barnatoreve në Vushtrri dhe Drenas, sfidë për komunat

Postuar: 10:11 / 19.06.2019

Në dy komunat e Kosovës, Drenas dhe Vushtrri, është hartuar një rregullore për respektimin e orarit 24 orësh të kujdestarisë së barnatoreve, e cila është duke u respektuar pjesërisht.

Për këtë çështje nga Komuna  e Drenasit dhe Vushtrrisë në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini, kanë folur zëdhënësi Bekim Dobra dhe kryetari Xhafer Tahiri.

Ai tha se në Komoran rregullorja për orarin e kujdestarisë nuk është duke funksionuar, pasi personat përgjegjës të barnatoreve nuk e kanë pranuar këtë orar, transmeton Telegrafi.

Mirëpo siç tha ai, inspektorët kanë dal në terren për t’i paralajmëruar se në rast se nuk e respektojnë rregulloren e Komunës, atëherë do t’i shqiptohet dënimi.

“Në Komoran, kujdestaria nuk është bërë funksionale për shkak të disa barnatoreve në atë pjesë që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e 24 orëshit. Megjithatë Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me inspektorët komunal javën e kaluar kanë dal në terren dhe kanë kërkuar nga ata që të jenë në kujdestari 24 orëshe, ata kanë pranuar që të respektohet ky rregull, përndryshe do të merren masa ndaj tyre”, ka thënë Dobra.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kujdestaria e barnatoreve në Vushtrri është organizuar shumë mirë.

Ai tha se kanë kaluar nëpër sfida deri sa është pranuar rregullorja e kujdestarisë së barnatoreve.

“Edhe pse kemi pasur një sfidë pasi inspektorët komunal në terren kanë shqiptuar edhe gjoba për ato barnatore që nuk e kanë respektuar orarin 24 orësh të kujdestarisë”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, në vendimin e Komunës së Drenasit për orarin e kujdestarisë së barnatoreve thuhet: “Sipas vendimit të kuvendit e cila është e publikuar edhe në ueb faqe zyrtare të komunës, orari i periudhës verore është nga ora 08:00-21:00 , periudha dimërore nga ora 08:00-19:00 kurse vikendit (e diele) dhe gjatë festave zyrtare do të kujdestarohet 24 orë, përjashtimisht në raste urgjente mund të punohet edhe jashtë orarit të paraparë më lartë. Ndërsa të shtunave do të punohet nga ora 08:00 deri në ora 14:00”.