Shqyrtohet draft-dokumenti i treguesve për monitorimin e zhvillimit socio-ekonomik rajonal të balancuar

Postuar: 13:58 / 23.10.2019

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) organizuan takimin konsultativ për shqyrtimin e draft – dokumentit “Treguesit për monitorimin e Zhvillimit Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar në Kosovë”. Në takim pjesëmarrës ishin përfaqësues të Ministrive të Linjës, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Komunave të Republikës së Kosovës dhe Agjencive për Zhvillim Rajonal e Shoqëria Civile.

Gjatë takimit u prezantua qëllimi i definimit të këtyre treguesve, të cilët janë pjesë e dokumentit që është duke u hartuar, i cili është në funksion të ndërtimit të sistemit për matjen e zhvillimit socio-ekonomik rajonal të balancuar në Kosovë, përcjell InfoKomuna.

Dokumenti është në funksion të ndërtimit të sistemit për matjen e performancës rajonale, i cili synon të pasqyrojë investimet e nivelit qendror në nivel lokal dhe rajonal, të promovojë zhvillimin socio-ekonomik rajonal të balancuar, si dhe të stimulojë konkurrencën ndërmjet rajoneve. Andaj synohet të përcaktohet rruga e sigurimit të informatave për të pasqyruar zhvillimet socio-ekonomike në pesë rajonet zhvillimore të Kosovës, përmes dokumenteve analitike të cilat do të zhvillohen çdo vit.

Në këtë kontekst, është shumë i nevojshëm zhvillimi, menaxhimi dhe promovimi i projekteve që sigurojnë zhvillim socio-ekonomik rajonal të balancuar në gjithë territorin e Kosovës. Para se gjithash nxitja e rrjetëzimeve dhe promovimi i formave të bashkëpunimit ndërmjet komunës me akterët tjerë zhvillimorë në kontekst të zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik rajonal të balancuar.

Instituti KLGI mbetet i përkushtuar që në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe me komuna, të përgatitin dokumente që ndikojnë në avancimin e zhvillimit socio-ekonomik rajonal të balancuar.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë. /InfoKomuna/