Japonia ndan grant për QKMF-në e Shtimes

ShtimePostuar: 14:05 / 20.03.2018

Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Rrahman Jakupi, së bashku me drejtoreshën e QKMF-së, Mirditë Qeriqi-Hajdari, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për projektet përfituese që financohen nga "Granti për Projektet Bazike për Siguri Njerëzore dhe Kulturë" nga Qeveria e Japonisë.

Drejtoresha e QKMF-së, Mirditë Qeriqi-Hajdari, në fjalimin e saj ka falënderuar Qeverinë e Japonisë në mbështetje sektorit të shëndetësisë, ku pacientë përfitojnë shërbime më cilësore, raporton InfoKomuna.

"Do të dëshiroja që të shfrytëzoj rastin që në emër të qytetarëve të Komunës Shtimes, në emër të stafit të QKMF, si dhe në emrin tim personal, të shpreh falënderim dhe mirënjohje të thellë popullit dhe taksapaguesve japonez, Qeverisë japoneze dhe juve personalisht, për mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë, veçanërisht për donacionin për QKMF Shtime - pajisje mjekësore, përkatësisht Aparat Digjital të Rentgenit, tha ajo.

Tutje ajo theksoi se vlera e këtij donacioni është e rëndësisë së veçantë për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët e komunës së Shtimes, duke mundësuar zvogëlim të mundimeve, por edhe të shpenzimeve për qytetarët që do të përfitojnë nga ky donacion.

"Pacientët e komunës së Shtimes do të mund të përfitojnë shërbim më të sofistikuar, të sigurt e të besueshëm, me këtë pajisje mjekësore (aparat digjital i rentgenit), dhe do të ndikojë pozitivisht edhe në kushte më të mira për punën e stafit, si dhe siguri më të lartë në punë por edhe në diagnostifikim", tha jo.

"Shprehim zotimin tonë, për përkushtim dhe profesionalizëm në përmbushje të kushteve të kontratës, dhe në mënyrë më profesionale do të jemi kujdestar të përmbushjes së misionit tonë, për ofrimin e shërbimeve cilësore, të sigurta dhe të shpejta për pacientët".

"Urojmë që ky donacion, dhe kjo marrëveshje, të jetë një hap i parë, por i mbarë për të vazhduar edhe në të ardhmen bashkëpunimin e ndërsjellë, në të mirë të ngritjes së kujdesit shëndetësor ndaj qytetarëve", theksoi Qeriqi-Hajdari. /InfoKomuna/