Komuna e Shtimes ndalon taksistët ilegal

ShtimePostuar: 16:44 / 30.08.2018

Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Shtimes në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nga Stacioni Policor në Shtime, këto ditë kanë ndërmarrë një aksion për largimin e menjëhershëm të taksistëve dhe kombi-busëve ilegalë nga rrugët rajonale.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Shtimes, Halil Halili, ka thënë se “aksionet e fundit të cilat i kemi ndërmarrë ne si Drejtori e Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë të vetmin qëllim mbrojtjen e operuesve legal, këto aksione të tilla do të shpeshtohen edhe gjatë ditëve në vijim dhe nuk do të ndalemi deri në zbatimin e tërësishëm të ligjit.

Këto inspektime organizohen me qëllim të ndaljes një herë e përgjithmonë të operimit të taksistëve ilegal, në përputhje me ligjet në fuqi, me qëllim që t'iu ofrohet mundësia transportuesve legal që të zhvillohen edhe më tutje.

Me këtë rast qytetarëve iu bëjmë thirrje që mos t'i shfrytëzojnë për udhëtim transportuesit ilegal pasi që ata edhe mund të jenë të pasigurt dhe e dëmtojnë ekonominë tone“.

DSHP, përkatësisht Zyra e Inspektoratit në vazhdimësi analizon nevojat e orareve, si dhe ndërmarrë masa për lejimin e linjave të reja aty ku ka nevojë, por se nuk do të tolerohet transporti ilegal, ka shtuar drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Halil Halili. /InfoKomuna/