Me aktivitet shënon ditën e dëshmorëve komuna e Shtimes

ShtimePostuar: 15:43 / 26.07.2017

Komunës së Shtimes shënon 26 korrik-un dita e dëshmorëve me homazhe dhe vendosjen e luleve në Varrezat e Dëshmorëve, në Shtime, Mollopolc, në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, Kompleksin e Varrezave të Martirëve të familjes Asllani, në Rancë, në Varrezat e Dëshmorëve, në Polac dhe në Kleçkë.

Për nder të Dëshmorëve të komunës është mbajtur edhe Orë Përkujtimore, në Shtëpinë e Kulturës, ku, përpos familjarëve të Dëshmorëve, kanë marrë pjesë edhe strukturat udhëheqëse, të nivelit lokal dhe qendror dhe qytetarë të shumtë.

Në këtë Orë Përkujtimore, kryetari i komunës, z. Naim Ismajli, në fjalën tematike, pasi ka përshëndetur të pranishmit, veç tjerash tha: “Gjithmonë veprat e mëdha lidhen me emrat e atyre që krijuan ato, lidhen me emrat e njerëzve që mbeten të përjetshëm në faqet e historisë për të përcjellur mesazhe te brezat e ardhshme se asnjëherë nuk duhet harruar sakrifica dhe përpjekja, deri në flijim, për të mirën e përgjithshme, të kombit, të familjes dhe shoqërisë.

Nderi dhe respekti, duke qëndruar prapa këtyre veprave, sot na ka mbledhur këtu, në këtë Orë Përkujtimore, për të kujtuar, jetën, veprën dhe heroizmin e Dëshmorëve dhe të Martirëvetë, që ranë në altarin e lirisë nën kushtrimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e vendit.

Ne, sot, nderojmë Dëshmorët duke bërë me dije se qëndrojnë prapa amanetit të tyre, prapa veprës së tyre, duke dëshmuar me punën dhe përpjekjet për të pasur jetë më të mirë.
Dëshmorët e Luftës së Lavdishme të UÇK-së luftuan me nder dhe trimëri dhe ranë me dinjitet për lirinë e këtij vendi, që ne po e gëzojmë sot, ata ranë që ne të kemi shtetin tonë, të kemi dinjitetin tonë, të kemi ardhmërinë tonë, prandaj Dëshmorët janë vlera më e çmuar e Kombit.

Rrugëtimi që po bëjmë tani e disa vite në liri, sfidat e kaluara dhe gjithçka e arritur deri tani, është pa dyshim vlerë e jona e përbashkët. Ne sot jetojmë të lirië dhe të pavarur, kurse e gjithë merita për këto vlera u takon dëshmorëve tanë, u takon atyre që sot po i kujtojmë. Në realitet, ata janë edhe vlera edhe merita, për faktin se u sakrifikuan dhe me gjakun e tyre u bënë themeli mbi të cilin ne sot po jetojmë dhe po punojmë të lirë dhe të pavarur.

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë të dëshmorëve, të respektuar invalidë dhe veteranë të Luftës së UÇK-së, të nderuar të pranishëm, ne sot duke përkujtuar madhështinë dhe heroizmin e dëshmorëve të komunës së Shtimes, nderojmë dhe përkujtojmë gjithë dëshmorët e luftës së lavdishme të UÇK-së.

Përjetësia u takon Dëshmorëve kurse kujtimi dhe nderimi për ta është obligim yni i përjetshëm. Lavdi Dëshmorëve të kombit”!
Në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve ka folur, z. Xhavit Jashari, i cili, veç tjerash tha se derisa po kujtojmë Dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën e pamohueshme të secilit prej nesh.

Sot, secili prej nesh ka çka të thotë, por nuk mund të themi se kemi bërë mjaftueshëm për vlerat e Luftës së UÇK-së dhe Dëshmorët e Martirët-ka shtuar ai duke veçuar gjendjen jo të mirë të shumë Varrezave të Dëshmorëve, për të cilën gjë u bëri apel institucioneve që të angazhohen më shumë në ruajtjen e vlerave të UÇK-së.

Një fjalë rasti, në këtë Orë Përkujtimore, ka mbajtur edhe z. Agim Çeku, i cili, në fillim tha se Shtimja ka një histori të lavdishme sepse me veprën dhe heroizmin e dëshmorëve ka dëshmuar që liria nuk fitohet lehtë. Ai, në fjalën e tij, shprehu respektin për trimat e UÇK-së që në kohën e luftës kishin zhvilluar beteja në Grykën e Carralevës, në Reçak, Petrovë dhe Mullopolc. Respekt të vaçantë shprehu për Martirët e Reçakut dhe familjarët e tyre.

Shtimja, padyshim, është njëra nga vlerat më meritore të UÇK-së kurse pas lufte komuna e Shtimes u bë shembull për komunat e tjera se si duhet rifilluar jetën në liri- ka thënë, z. Çeku duke shtuar se udhëheqja e komunës gjithherë ka qëndruar afër qytetarëve të vet dhe ka ditur të respektojë vlerat e UÇK-së.

Për të nderuar Dëshmorët dhe familjarët e tyre, në aktivitetet për shënimin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, ishin të pranishëm edhe zv. ministri, z. Fehmi Mujota, deputeti i Kuvendit, z. Fatmir Xhelili, udhëheqësit e Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së, të nivelit qendror dhe lokal dhe mysafirë të tjerë.

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së- Dega në Shtime, ka ndarë Mirënjohje për të gjitha Familjet e Dëshmorëve të Komunës. Kjo Shoqatë i ka ndarë Mirënjohje edhe kryetarit të komunës, z. Naim Ismajli, për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë për Familjet e Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së.

ShtimeKomente: 0 Kuvendi i Komunës së Shtimes mban mbledhjen e radhës 17:04 / 28.03.2024 Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, ka mbajtur sot mbledhjen e tretë të rregullt të Kuvendit, ku në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, si dhe drejtorë të drejtorive komunale.