Shtime, e nevojshme nxjerrja e strategjisë së veprimit - policimi në bashkesi

ShtimePostuar: 12:09 / 19.05.2018

Është mbajtur takimi informues – konsultativ me përfaqësuesit e fshatrave dhe Lagjeve Urbane të Shtimes. Ky takim është organizuar nga Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Komunën e Shtimes, ndërsa është duke u mbajtur në kuadër të “Strategjisë së Veprimit, Policimi në Bashkësi 2017 – 2021”.

Nënkryetari i Komunës, Rrahman Jakupi hapi takimin, i cili shprehu mirënjohje për bashkëpunim të mirë në mes të Institucionit të Komunës së Shtimes, Policisë së Kosovës në Shtime, përfaqësuesve të fshatrave dhe Lagjeve Urbane.

“Ky dokument është një koncept i bashkëveprimit me qytetarë dhe partneritet në mes të akterëve për një ambient të qetë dhe të sigurt”, tha ai.

Po ashtu lidhur me Strategjinë e Veprimit folën rreshteri i PK-së, Nexhmedin Ahmeti dhe rreshteri Hasan Hysenaj të cilët prezantuan dokumentin, përmbajtjen e saj, nevoja për hartimin e saj, ndërsa në veçanti prezantuan edhe ndarjen e sektorëve të komunës së Shtimes.

Përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve urbane përshëndetën këtë takim, si dhe paraqitën disa nga pikëpamjet e tyre lidhur me policimin në bashkësi dhe problemet që preokupojnë qytetarët në komunitetet e tyre. /InfoKomuna/