Nis projekti për kujdesin shtëpiak për nënat dhe fëmijët në Shtime

ShtimePostuar: 09:33 / 29.03.2018

Komuna e Shtimes ka mbajtur takimin me temën “Projekti i vizitave shtëpiake për kujdesin e nënës dhe fëmijës në komunën e Shtimes”. Ku i pranishëm në këtë takim ishte edhe Zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu, nënkryetari i Komunës, Rrahman Jakupi, drejtorë e doktorë dhe mysafirë tjerë.

Ky aktivitet, do të jetë një shërbim i ri, përkatësisht një aktivitet i ri, dhe aktivitet shtesë për bartësit e Kujdesit Parësore Shëndetësor në Komunën e Shtimes, e që përveç QKMF-së si institucion i cili drejtpërdrejtë kryen shërbimet shëndetësore, ky shërbim do të kryhet nën mbështetjen dhe koordinimin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Shtimes, në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Mirëditë Qeriqi, drejtoreshë e QKMF-së tha se qëllimi i këtij programi janë vizitat shtëpiake për nëna dhe fëmijë.

"Në këtë detyrë kaq të rëndësishme dhe sfiduese, ne nuk do të jemi vetëm, e kemi përkrahjen e MSH, UNICEF-it, kryetarit të komunës, Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të cilët edhe njëherë i falënderoj për përkrahjen”.

Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Rrahman Jakupi, tha se janë të përkushtuar që të gjitha proceset që lidhen me shëndetësinë, por edhe këtë program ta shtyjnë përpara, duke e përkrahur dhe duke i dhëne mbështetjen e nevojshme.

"Zotohemi se Komuna e Shtimes, është dhe do të jetë përkrahës në realizimin e këtyre projekteve, vizitave të cilat do të jenë pjesë e detyrave të punës së personelit në Kujdesin Primar Shëndetësor në Shtime. Mendoj se ky projekt është mjaftë i rëndësishëm duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë që ka të bëjë me nënat dhe fëmijët, ka të bëjë me një të ardhme më të mirë të fëmijëve dhe të u mundësojë atyre një jetë më të mirë, pasi që fëmijët janë e ardhmja jonë dhe gjëja kryesore për një vend e shoqëri dhe kujdesi ndaj tyre nënkupton kujdes dhe mbrojtje për të ardhmen, për familjen dhe vendin. Shfrytëzoj rastin t’ju uroj ju për punën tuaj dhe qytetarët për fillimin e këtij projekti me rëndësi. Ju faleminderit shumë për angazhimin tuaj”, theksoi ai.

Zëvendësministri Dr. Granit Abdullahu, tha se Ministria e Shëndetësisë do të përkrahë këtë aktivitet, "i cili është në përputhje me prioritetet strategjike dhe politikat shëndetësore afatgjata të Ministrisë së Shëndetësisë, për të ofruar shërbime për të gjithë, dhe për të mbrojtur dhe përmirësuar gjendjen shëndetësore të nënës dhe fëmijës, si dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre".

Agron Gashi përfaqësues i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se qëllimi i këtij programi janë vizitat shtëpiake për nëna dhe fëmijë, ku përveç kontrollit rutinor shëndetësor, do të kenë efekte pozitive afatgjata në shëndetin e gjithëmbarshëm të qytetarëve të komunës së Shtimes.

"Ne tani po promovojmë një qasje proaktive në vend të asaj reaktive, ne tani duam të kalojmë në fazën e parandalimit të sëmundjes, në vend të shërimit të saj, ne tani duam që të kujdesemi te rrënjët e shoqërisë sonë, te shtylla e familjes sonë, te nëna dhe fëmija”, theksoi ai.

Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shpresa Tafa tha se janë të përkushtuar që së bashku me punëtorët shëndetësorë, punëtorët socialë si dhe personat tjerë adekuat, të realizojnë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë projekt, i cili përpos që përfshinë një shtresë të ndjeshme të shoqërisë, gjithashtu ndikon edhe në rritjen e kualitetit të jetës së qytetarit.

"Përmes kësaj kërkojmë mbështetje edhe më tej nga qeveria qendrore të na mbështesë në qëllimet tona të mira për avancim të këtyre projekteve. Që do te thotë, të investosh dhe të punosh për fillim të mbarë të jetës, ke investuar në ardhmërinë e vendit tënd". /InfoKomuna/