Komuna e Skenderajt me masa shtesë për bizneset gjatë pandemisë

SkënderajPostuar: 12:37 / 11.04.2020

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, të premten ka nxjerrë Urdhëresë për ndërmarrjen e masave shtesë preventive nga bizneset që sipas vendimit të Qeverisë lejohen të operojnë në këtë situatë emergjente.

Me këtë urdhëresë bizneset nder të tjerash detyrohen:

1. Të bëjnë dezinfektimin e rregullt të hapësirave;

2. Supermarketet të bëjnë dezinfektimin e karrocave dhe shportave sa herë ato përdoren nga konsumatorët;

3. Në hyrje të bizneseve të vendosen dezinfektues që konsumatorët të dezinfektojnë duart para se të hyjnë brenda;

4. Furrat e bukës të ambalazhojnë bukën pas përgatitjes dhe para se t’i vendosin në rafte;

5. Në furra, markete e biznese të vogla të mos lejohet hyrja e më shumë se një personi njëkohësisht;

6. Bizneset bankare të vendosin xham ndërmjet punëtorit dhe konsumatorit, për të mundësuar distancën sociale të nevojshme;

7. Përveç punëtorëve në biznese edhe konsumatorët të përdorin masa mbrojtëse gjatë furnizimit me produkte e shërbime të nevojshme.

Kërkoj nga bizneset që të respektojnë në përpikëri këtë urdhëresë, ndryshe inspektorët do të kryejnë punën e tyre.

Çdo urdhëresë apo vendim që jemi duke marrë është në funksion të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve tonë.

Të bashkuar do t’ia dalim!

Panik Jo, kujdes Po!