Ekspertë të USAID ndihmojnë Skenderajn në gjetjen e parregullsive nga ZKA

SkënderajPostuar: 16:10 / 10.10.2018

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pranuar mbështetje profesionale nga USAID-i, i cili ka dërguar ekspertë të auditimit në këtë komunë, për adresimin e implementimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e auditimit për vitin e kaluar, i cili ka konstatuar disa parregullsi.

Për këtë qëllim, sot është mbajtur takimi i parë i Drejtorëve komunalë, Auditorit të Brendshëm të Skenderajt dhe ekspertëve të auditimi, në të cilin janë diskutuar të gjeturat e raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2017.

Me theks të veçantë janë analizuar të gjitha të gjeturat dhe rekomandimet e dhëna për fushat e prokurimit publik, financave publike, auditimin e brendshëm dhe burimet njerëzore.

Me qëllim të implementimit të rekomandimeve që ka nxjerr Auditori i Përgjithshëm për periudhën janar - dhjetor 2017, ekspertët e auditimit do të jenë të angazhuar më shumë se një muaj, të cilët do të ofrojnë gjithë përvojën profesionale për Komunën e Skenderajt, në funksion të implementimit të rekomandimeve dhe të gjeturave të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.