Kompleksit "Adem Jashari" i projektohen 21 milionë euro investime

SkënderajPostuar: 09:17 / 24.05.2018

Komisioni parlamentar për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis e planifikim hapësinor të mërkurën ka votuar Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Deputetët, anëtarë të këtij komisioni, me përjashtim të Sergjan Mitroviqit nga Lista Serbe i cili ka abstenuar, janë pajtuar t’ia përcjellin Projektligjin Kuvendit që të shqyrtohet në seancat plenare të radhës, shkruan Koha Ditore.

Nëse ky projektligj miratohet në Kuvend, Qeveria do të detyrohet që deri në fund të viti 2021 të ndajë 21 milionë euro për kompleksin “Adem Jashari”, mjete këto që nuk janë paraparë në planifikimet buxhetore të shtetit.

Projektligji me 17 nene pritet që ta zëvendësojë Ligjin e vitit 2004 me 9 nene, nëpërmjet të cilit asokohe u bë shpallja e kompleksit përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë. Me Projektligj përcaktohet statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij. Në këtë dokument përcaktohet edhe shpronësimi i një sipërfaqeje prej 450 hektarësh. Kompleksi do të jetë zonë e interesit të veçantë.