Kryetari i Skenderajt vazhdon vizitat tek familjet e dëshmorëve

SkënderajPostuar: 13:51 / 26.06.2020

Në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin dhe sakrificën e jashtëzakonshme, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, sot ka vazhduar vizitat tek familjet e dëshmorëve me rastin e 21-vjetorit të çlirimit të Skenderajt.

“Ashtu siç edhe e kemi planifikuar që të shënojmë 18 qershorin, gjatë vizitës tek këto familje dhuruam mirënjohje për dëshmorët: Bashkim I Kerolli, Driton G Veliu, Fehmi Kerolli, Shefqet S Kerolli, Liman S Koca, Naim H Xani, Xhemë M Veliu, Xheladin J Kabashi dhe Samit B Veliu, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë dhe pavarsinë e Kosovës", tha Kryetari Jashari.

Kryetari tutje tha se familjet e dëshmorëve janë nderi dhe historia jonë e lavdishme, janë simbol i vlerave tona kombëtare e historike.

“Ato duhet trajtuar me kujdes të veçantë dhe respekt të vazhdueshëm për kontributin e tyre në jetësimin e idealeve tona shekullore. Vizitat tek familjet e dëshmorëve vazhdojnë ditëve në vijim”, bëri të ditur Jashari. /InfoKomuna/