Në Skenderaj konfiskohen produkte me afat të skaduar

SkënderajPostuar: 15:13 / 06.09.2018

Inspektorët komunalë, në kuadër të aktivitetit të tyre ditor, kanë kryer një kontroll rutinë në dyqanet e fshatit Çirez të Komunës së Skenderajt, ku kanë hasur gjera ushqimore me afat të skaduar.

Kështu ka njoftuar zyra për informim e komunës së Skenderajt.

“Pasi kanë verifikuar datën e skadencës, inspektorët kanë kryer konfiskimin e mallit, vlera e të cilit është rreth 110 euro, duke e dërguar në një vend të izoluar ku edhe kanë asgjësuar atë. Ndaj pronarit të dyqanit tek i cili janë gjetur artikuj me afat të skaduar, i është shqiptuar gjobë, konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin e komunës.

Ndër të tjerash bëhet e ditur se inspektorët nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Skenderajt, kanë shtuar aktivitetin e kontrollimit të dyqaneve, marketeve dhe bizneseve në përgjithësi, për të parandaluar rrezikun e qytetarëve.

Komuna e Skenderajt ka bërë apel te pronarët e dyqaneve që shesin gjëra ushqimore, të jenë të kujdesshëm me produktet që shesin, kurse qytetarëve u është kërkuar bashkëpunim për të raportuar rastet e tilla. /InfoKomuna/