Rrënohen 25 garazhe në hapësirat publike në Skenderaj

SkënderajPostuar: 14:36 / 26.07.2019

Komuna e Skenderajt nëpërmjet Drejtorisë së Inspektoratit, ka vazhduar me aksionin e lirimit të hapësirave publike në qytet.

Me këtë rast janë rrënuar rreth 25 garazhe në hapësirën afër Institucionit Parashkollor “Nëna Zahide”, 5 të tilla afër banesave sociale, për të vazhduar më pas edhe 10 të tjera në afërsi të Gjimnazit “Hamëz Jashari”.

Kryetari i Komunës, Bekim Jashari, në një postim në llogarinë e tij rreth aksionit të sotëm të inspektorëve, ka shkruar: “Veprimet e radhës të Komunës, gjegjësisht Drejtorisë së Inspektoratit, që synojnë kthimin në normalitet dhe lirimin e hapësirave publike të cilat për vite më radhë janë shfrytëzuar shkel e shko.

Aksioni i sotëm, që s’është fushatë e drejtuar nga askush, por punë e përditshme, për të mbrojtur hapësirat publike që zaptohen padrejtësisht, është zhvilluar tek pjesa afër Çerdhes “Nëna Zahide”, në një hapësirë që kanë qenë të ndërtuara rreth 25 garazhe, 5 të tilla tek banesat sociale, për të vazhduar më pas edhe 10 të tjera në afërsi të Gjimnazit “Hamëz Jashari”.

Kësisoj, askujt nuk do t’i mohohet e drejta e garantuar që të shfrytëzojë apo vendosë objekte në hapësirat publike, por vetëm duke iu nënshtruar procedurave dhe rregullave që janë përcaktuar me ligj.