Skenderaj mban ushtrimin fushor "Ujku 2018" (Video)

SkënderajPostuar: 15:25 / 03.04.2018

Ushtrimi fushor "Ujku 2018" u organizua nga Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me FSK-në (BRSh-BAT3) ku morën pjesë Policia e Kosovës, Zjarrfikësit e Skenderajt (NJPShZSh), (QKMF) dhe AME-ja (Qendra Emergjente Rajonale-Mitrovicë).

Siç theksojnë zyrtarët komunal, objektivat e këtij ushtrimi kanë qenë dhe janë realizuar: Alarmimi; Mobilizimi; Sensibilizimi dhe Koordinimi i Agjencive civile të Komunës Skënderajt për intervenim në rastet emergjente dhe bashkëpunimi me FSK-në dhe AME-në, raporton InfoKomuna.

"Kemi filluar me Planifikimin e Ushtrimit me FSK-Batalonin e Tretë në Mitrovicë me Agjencitë tona emergjente dhe kemi mbërri deri tek organizimi i këtij ushtrimi fushor duke kaluar nëpër tri faza".

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij ushtrimi si nevojë e domosdoshme për testimin dhe koordinimin për rastet emergjente e të gjithë akterëve emergjent komunalë.

"Gjatë këtij ushtrimi fushor si rast emergjent kemi pasur termet 6.2. shkallë Rihter që ka goditur komunën tonë me epiqendër Fabrikën e Municionit Gjuetisë dhe kemi pasur shembje të objekteve, persona të ngujuar, zjarr, aksidente komunikacioni në lëvizje të automjeteve dhe turma te familjarëve të interesuar për gjendjen e të afërmeve të tyre", thuhet në njoftimin e komunës.

Me marrjen kësaj informate nga Drejtori i Shërbimeve publike Ibush Hetemi dhe raportit nga tereni i Shefit sektorit për Mbrojtje dhe Shpëtim Sokol Hoxha, kryetari i Komunës, Bekim Jashari, ka ngritë gatishmërinë emergjente në komunë ka formuar Shtabin Emergjent dhe është informuar për kapacitetet njerëzore e materiale duke iu dhënë detyra për efektshmëri më të lartë në menaxhimin e kësaj situate emergjente.

Ka urdhëruar dislokimin e shtabit Emergjent në Qendrën Operative Lokale afër vendit të ngjarjes dhe ka autorizuar nënkryetarin, Nuradin Lushtaku, për udhëheqjen e mëtejme të Shtabit Emergjent në teren.

"Nga shërbimet tona emergjente: Policia e Kosovës, Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shërbimet Emergjente medikale është intervenuar: (në sigurimin e vendit të ngjarjes, në shuarjen e zjarreve, aksident trafiku, kërkim-shpëtim të njerëzve nën gërmadha, ndihma e parë, bartja dhe trajtimi mjekësorë i të lënduarve në spitalin fushor, bashkëbisedim me turmat e familjarëve deri tek shpërndarja e tyre)", thuhet më tej në njoftim.

"Shtabi Emergjent ka përcjellë vazhdimisht situatën edhe gjendjen në terren dhe ka marrë vendime të domosdoshme dhe janë kryer të gjitha detyrat deri në konstatimin që forcat tona dhe resurset janë të pamjaftueshme".

Është kërkuar nga AME-ja për ndihmë me resurse nga niveli Qendror për mbrojtje dhe shpëtim si pasojë e pëlcitjeve të bocave me kemikale.

Këtë kërkesë e kanë marrë FSK-ja dhe me ekipet e specializuara ka pranuar komandën nga komuna për menaxhimin e kësaj situate emergjente. Tutje kanë vazhduar aktivitetet e FSK-së në stërvitje ku janë kryer operacione në shpartallimin e grupeve të keqbërësve në Fabrikën e Municionit.

Është zhvilluar edhe një aktivitet i përbashkët i FSK-së me ekipet tona emergjente Policinë e Kosovës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj në aksident trafiku me të plagosur.

Në qytetin e Skenderajt MKAB/FSK-së ka intervenuar në ndaljen e kemikaleve dhe grupet tjera kanë bërë kërkim – shpëtim urban në lartësi për shpëtimin e një personi.

Qendrën e Ushtrimit dhe Qendrën Operative Lokale e kanë vizituar komandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë, Gjenerali Fadil Hadergjonaj, nënkoloneli Sylejman Caka, komandant i Batalionit të tretë BRSh, kazerma ,"Minatori" Mitrovicë, përfaqësues të KFOR-it në Kosovë.

Gjeneralmajor Fadil Hadergjonaj përgëzoi të gjithë akterët që morën pjesë në Ushtrimin fushor nga ana e Komunës së Skenderajt me agjencitë civile –emergjente, ushtarët dhe eprorët e FSK-së.

Në emër të kryetarit të Komunës, Bekim Jashari, të pranishmit i përshëndeti, drejtori i DShP-së, Ibush Hetemi ku i vlerësoi shumë angazhimet e të gjithëve në menaxhimin e këtyre rasteve emergjente dhe sidomos bashkëpunimin me FSK-në dhe AME-në në këto situata emergjente.

Kërkesë ishte që të vazhdohet me këto stërvitje në funksion të daljes në ndihmë qytetarëve tanë gjatë fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera. /InfoKomuna/