Skenderaj me më së shumti investime nga Qeveria, prej të gjitha komunave

SkënderajPostuar: 11:26 / 27.05.2019

Skenderaj, bashkë me fshatrat e tij, zë vendin e parë në Kosovë, si komuna që ndër vite, ka përfituar më së shumti investime nga Qeveria krahasuar me të gjitha 37 komunat e tjera të vendit.

Ndërsa Komuna e Prishtinës, si më e madhja në vend, për të njëjtën periudhë kohore ka përfituar më pak se gjysmën e investimeve që kishte përfituar Skenderaj, shkruan sot Koha Ditore.

Kështu, nga 311 milionë euro sa janë dhënë gjithsej brenda shtatë vjetësh në emër të mbështetjes që Qeveria u ka dhënë komunave për projekte kapitale, 43 milionë euro kanë shkuar vetëm për Komunën e Skenderajt. Ndërsa për Prishtinën kanë shkuar 21 milionë euro.

Këto të dhëna figurojnë në raportin “Investimet kapitale nga ministritë e linjës në kompetenca komunale për periudhën 2011-2017”, të nxjerrë rishtazi nga projekti DEMOS.

Këto investime të bëra nga ministritë e ndryshme, janë shtesë, përpos grantit qeveritar që komunave çdo vit u ndahet nga buxheti i shtetit.