2.4 milionë euro për Parkun Industrial në Suharekë, shtohen 600 vende pune

SuharekëPostuar: 16:25 / 26.10.2018

Punimet për ndërtimin e infrastrukturës fizike të Zonës Ekonomike në Shirokë të Suharekës, do të kryhen plotësisht dhe pa zvarritje.

Ky premtim u dha nga zyrtarë shtetërorë të nivelit qendrorë dhe lokal, raporton EkonomiaOnline.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, tha se ky projekt është promotor i zhvillimit në rajonin e Prizrenit. “Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin për parkun, dhe zyrtarisht do të përfundojë një herë e mirë, dhe t’i krijojë qasje në autostradë. Ndihem krenar që sot kemi ardhë me përmbyllë një projekt të madh që është promotor i zhvillimit jo vetëm Suharekës, por edhe gjithë regjionit të Prizrenit,” tha Limja.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, premtoi rritjen e vendeve të reja të punës pas realizimit të këtij projekti.“Po fillojmë ndërtimin e këtij projekti komplet. Në këtë zonë do të shtohen 600 vende të reja të punës, dhe do ketë edhe një unazë shumë me rëndësi,” tha Muharremaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, siguroi të gjitha bizneset për krijimin e kushteve të funksionimit. “Investimi i MTI kapë vlerën 2.4 milionë euro, dhe me këtë do të përmbyllet e gjithë infrastruktura fizike e parkut industrial në Suharekë. Siguroj të gjitha bizneset se do t’ju ofrohen të gjitha kushtet për të bërit biznes në Kosovë,” tha ministri Shala.