Asistenca sociale për afër 500 familje nga Suhareka, vetëm për mbijetesë

SuharekëPostuar: 15:24 / 13.02.2020

150 euro në muaj janë të parapara me ligj asistencë sociale për një familje 15 anëtarëshe.

Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, e ndonjëherë edhe detyrimit familjarë, një numër i madh i fëmijëve në Suharekë bëjnë punë të rënda.Janë rreth 100 fëmijë që kërkojnë lëmoshë rrugëve, edhe pse në Kosovë ndalohet me ligj angazhimi i fëmijëve në aktivitete që dëmtojnë zhvillimin e tyre.

Për këtë organizatat që merren me të drejtat e njeriut thonë se një numër i madh angazhohen në aktivitete të ndryshme në rrugë që dëmtojnë shëndetin psikofizik të tyre. Ata bëjnë thirrje për shtimin e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, siç është hapja e më shumë qendrave për strehimin e përkohshëm.

Baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e moshës dhe kontribut-dhënëse, pensionimet e parakohshme të disa ndërmarrjeve, benificionet për veteranët e luftës, si dhe kategori tjera sociale.

Sipas ligjit, këto familje, si pjesë e skemave sociale, marrin një pagesë prej 50 deri në 150 euro në muaj,varësisht nga numri i anëtarëve.

Në asistencë sociale hyjnë ato familje që nuk kanë kurrfarë burimi të të ardhurave për jetë, në kategorinë e parë hynë familjet pa të ardhura dhe me të sëmurë (për këtë vendos komisioni mjekësor i MPMS), ndërsa në kategorinë e dytë, anëtarë të familjes, që nuk kanë të ardhura, nuk punojnë, janë të pa aftë për punë dhe kanë një fëmijë nën 5 vjet.

Skema e Asistencës Sociale gjatë vitit 2019 në Komunën e Suharekës nuk ka pasur shumë lëvizje, edhe psenë përgjithësi, rastet e asistencës janë në rritje dhe kështu dallon nga muaji në muaj, pasi që disa familje largohen nga komisioni mjekësor,disa të tjera nga ATK-ja, por kohën e fundit edhe disa familje janë larguar pasi që familjar të tyre kanë migruar jashtë vendi.

Kështu gjatë vitit 2019, për 5 familje në pozitë të vështirë sociale (apo për ndonjë sëmundje të rëndë të anëtarëve të familjes) janë ndihmuar me ndihmë financiare të menjëhershme momentale pranë DNS.

Shfrytëzues të asistencës sociale gjithsej janë 483 familje me 2502 bashkë shfrytëzues. /Suharekaonline/