Magjistralja Suharekë-Prizren nuk përfundon, shkak mungesa e mjeteve

SuharekëPostuar: 13:21 / 14.08.2017

Punimet për ndërtimin e rrugës magjistrale Suharekë –Prizren kanë mbetur në gjysmë.

Mungesa e mjeteve financiare nga Ministria e Infrastrukturës, ka shkaktuar ndërprerjen e punimeve.

Kjo po shkakton tollovi në trafik, që është bërë e padurueshme për qytetarët.

I shqetësuar me ndërprerjen e punimeve është shprehur kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të jetë më efikase në kryerjen e punimeve, teksa e ka vlerësuar si projekt shumë të rëndësishëm për Komunën e Suharekës.

Rruga ka filluar të ndërtohet qysh nga viti i kaluar dhe i gjithë projekti është paraparë të kushtojë rreth një milion euro.

KTV-ja për disa ditë radhazi ka provuar të marrë një qëndrim nga MI-ja, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Qeveria së fundi, shkurtoi mjetet për komunat, në mënyrë që të paguajë obligimet ndaj veteranëve të luftës.