Mustafa: Programi i LDK-së në Suharekë dhe gjithë Kosovën bazohet zhvillim dhe punësim

SuharekëPostuar: 15:21 / 19.10.2017

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten se Modeli i Qeverisjes Lokale në Suharekë dhe në gjithë Kosovën, bazohet në zhvillimin ekonomik, lokal, krijimin e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra, arsim dhe shëndetësi cilësore dhe perspektivë për të gjitha moshat.

“LDK është parti e qendrës së djathtë, dhe si e tillë ajo mbanë sektorin privat – iniciativën private – në qendër të besimit të saj ideologjik e politik. Kjo është dëshmuar në vazhdimësi gjatë qeverisjes së LDK-së, qoftë në politikën e taksave, të pakove fiskale, të lehtësirave burokratike, të infrastrukturës e të trajtimit të bizneseve”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa., raporton InfoKomuna

Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të bizneseve në Suharekë, kreu i LDK-së ka thënë se kjo parti në këto zgjedhje lokale ka program të qartë për zhvillim ekonomik lokal për secilën komunë, varësisht prej specifikave të komunës.

“Qeverisja lokale që ofron LDK-ja në Suharekë dhe gjithë Kosovën është e orientuar drejt: zvogëlimit të papunësisë dhe rritjes së standardit të jetesës përmes aktivizimit të potencialeve për rritje ekonomike dhe punësim; krijimit të kapaciteteve të reja ekonomike; krijimit të mundësive për investime të reja; dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në fushën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se platforma për zhvillim ekonomik lokal garanton që, në katër vitet e ardhshme, në komunat e qeverisura nga LDK: të zhvillohen politika përkrahëse lokale për biznese; përmirësim të infrastrukturës urbane dhe rurale; përmirësim të shërbimeve publike; mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët; kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme; kreditimin e jashtëm për projekte komunale; mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende të reja të punës; dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik etj.

Ai ka shtuar se rritja e transparencës dhe eliminimi i burokracisë në komuna do të jetë hapi i parë i qeverisjes dhe do të ngritët një sistem llogaridhënës sa i përket shpenzimit të taksave të qytetarëve dhe bizneseve.

“Në bashkëpunim me bizneset, ne do të hartojmë politikat që ju përshtaten bizneseve dhe do të ndryshojmë rregullat e kriteret që janë pengesë në afarizëm. Vendi ynë është i njohur për pasuritë e begatshme natyrore, miniera e minerale, toka pjellore, pyje, potenciale turistike etj. Një pasuri e madhe e vendit tonë është popullsia e re, e shkolluar dhe me shpirt ndërmarrës, të cilës LDK i kushton vëmendje të veçantë në programin qeverisës”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati për t’u rizgjedhur në këtë post, Sali Asllanaj, ka thënë se programi i tij në katër vitet e ardhshme do të fokusohet për zhvillimin ekonomik të komunës.

“Zona industriale në Shirokë e Agrozona në Samadraxhë janë krenari për ne dhe ato do t’i fuqizojmë edhe më tepër. Bizneset do t’i përkrahim edhe më shumë, do të krijojmë vende të reja pune. Bujqësia do të ketë rritje 50 për qind e buxhetit, turizmi malor do të zhvillohet, ndërtimi i rrugës për Brezovicë do të ndikojë që ne të jemi aneks i turizmit dimëror, sepse do të jemi vetëm dhjetë minuta larg Dellocit. Këto premtime do të realizohen, sepse janë obligime për ne”, ka thënë Asllanaj.

Realizimi i këtyre projekteve, sipas tij, me automatizëm do të ndikojë në rritjen e bizneseve. Asllanaj ka premtuar hapësirë edhe më të madhe për të rinjtë, qoftë në qeverisje apo përmes mbështetjes së tyre për punësim dhe hapje të bizneseve të reja.

“Për të rinjtë do të krijojmë ambiente të mira kulturore dhe sportive. I kemi ndërtuar 15 fusha sportive për katër vjet dhe do të ndërtojmë edhe aty ku ka mbetur pa u ndërtuar. Tani do të fillojë ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, me emrin e të madhit Ukë Bytyçi. Aty do të zhvillojë aktivitetin secili i ri që ka aftësi“, tha Aslllanaj.

Në këtë tubim janë prezantuar të gjithë kandidatët e LDK-së për Këshilltarë të Kuvendit Komunal të Suharekës./InfoKomuna/